Pasaportat biometrike. Nga 1 marsi të tjerat janë të pavlefshme - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi
Me vendim të Këshillit të Ministrave të 21 dhjetorit 2011, nga 1 marsi pasaportat e vjetra do të jenë të pavlefshme, edhe pse ende të paskaduara. Edhe Italia lëshon pasaporta biometrike por ligji parashikon shprehimisht që ato të formatit të vjetër mbeten në fuqi deri në skadimin e tyre e natyrshëm

Romë, 29 shkurt 2012 – Pasaporta ime jo biometrike ende nuk ka skaduar. Por a do të ketë vlerë pas 1 marsit? Është data kur qeveria shqiptare i nxjerr në pension para kohe. Por unë që jetoj në Itali e pasaportën shqiptare e kam edhe dokument identifikimi, a mund ta paraqes në kuesturë për të kërkuar përtëritjen e lejes së qëndrimit? A mund të nisem për në Francë me këtë pasaportë e kartën e qëndrimit meqë të drejtën për këtë udhëtim ma jep leja e qëndrimit në Itali? A mund të përdor pasaportën jobiometrike për të kërkuar vizë në konsullatën angleze, për shembull?  Janë të këtij lloji telefonatat dhe mail-et që ditët e fundit  mbërrijnë gjithnjë e më të shumta në redaksinë e shqiptariiitalise.com.

Për të gjithë bashkatdhetarët që ende nuk e kanë marrë pasaportën biometrike, por kanë në xhep vetëm të vjetrën akoma të paskaduar përgjigjja është vetëm një: “Pasaportat jobiometrike do të jenë të vlefshme si dokument udhëtimi deri në datën 1 mars 2012”, siç thotë vendimi i Këshillit të ministrave i datës 21 dhjetor 2011, i botuar në Fletoren Zyrtare që ka dalë nga shtypi më 28 dhjetor 2011. Teorikisht kjo gjë do të thotë që nga 1 marsi ato pasaporta nuk janë më të vlefshme askund, pra as në Itali. Nëse qeveria shqiptare ka lajmëruar zyrat e kufirit dhe shtetet e huaja që nxjerr nga qarkullimi këto pasaporta, në çdo rast kur parashikohet me ligj tregimi i pasaportës një zyrtari të shtetit, e vjetra (jobiometrike) nga nesër (1 mars 2012) nuk është e vlefshme. Në ambasadën shqiptare në Romë thonë që sipas udhëzimeve të ministrisë së Jashtme shqiptare, i kanë komunikuar palës italiane nxjerrjen nga qarkullimi të pasaportës së vjetër. Kështu që të gjitha zyrat shtetërore italiane, veçanërisht ato të policisë së kufirit, nga 1 marsi do të pretendojë nga të gjithë shqiptarët pasaportën biometrike.

Nga 1 marsi, duket se nuk do të jenë të paktë shqiptarët, veçanërisht ata jashtë Shqipërisë, që do të kenë një hall më shumë. Për shkak të qeverisë, që nga anë e saj thotë se “është e detyruar nga Europa”, se “kemi dokumentin më të sigurt që ekziston”, se “pasaporta biometrike na solli liberalizimin e vizave”.

Është e vërtetë që në Shqipëri përfitojnë nga liberalizimi i vizave vetëm ata që kanë pasaportën biometrike, por nga ana tjetër, një e katërta e shqiptarëve që jetojnë në Europë e kishte fituar me kohë “liberalizimin” falë dokumentit të qëndrimit në një prej vendeve Schengen.

Janë dokumente të sigurta? Nuk mund të falsifikohen nga mbajtësi, e vërtetë, por shembujt e kronikës së vitit të shkuar kanë treguar se nuk kanë munguar rastet kur falë korruptimit të ndonjë funksionari të komunës apo të ndonjë operatori të shoqërisë Aleat, janë lëshuar pasaporta me identitet të falsifikuar.

Edhe justifikimi më i zakonshëm i qeverisë “Na e kërkon Europa” nuk është i pranueshëm. Mjafton shembulli i Italisë, një nga vendet themeluese e BE-së, për të treguar që Europa nuk mund të detyrojë një shtet që të nxjerrë nga qarkullimi një dokument për një tjetër, qoftë ky edhe më i sofistikuari. Edhe në Itali prej tre vjetësh ka nisur pajisja me pasaportë biometrike por parashikohet shprehimisht që modelet e vjetra në qarkullim (pasaportat me lexim optik e fotografi jo digjitale, pasaportat me lexim optik e fotografi digjitale, pasaportat elektronike) mbeten në fuqi deri në skadencën e tyre natyrale. Siç mund të lexohet në faqet zyrtare të policisë së shtetit ku flitet për pasaportën: “NOTA BENE Tutti i passaporti in corso di validità, compresi quelli con figli minori iscritti restano validi fino alla loro naturale data di scadenza”.

Do të kishte qenë e arsyeshme që edhe Shqipëria të vepronte sipas të njëjtit mekanizëm : pasaportat e vjetra të dilnin nga qarkullimi në skadencën e tyre natyrale, ndërsa ata që do të dëshironin të përfitonin nga liberalizimi i vizave, mund të bëjnë gjithsesi dokumentin biometrik.
Mbetet e pakuptueshme pse qeveria vendos “nga sot nesër” të nxjerrë nga qarkullimi të vjetrat, madje edhe kur vendimi ishte marrë (me 21 dhjetor), ai “harrohet të shkruhet” në faqen on-line të Këshillit të ministrave. Numërohen plot 21 vendime të datës 21 dhjetor 2011 (siç mund të shihni edhe vetë në këtë lidhje duke shfletuar faqet sipas datës), madje nuk harrohet as Vendimi për një shtesë në vendimin ... “për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe dokumentacionin për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në republikën e Shqipërisë, por nuk thuhet asnjë fjalë për daljen nga qarkullimi i pasaportave jobiometrike. Në periudhën e festave të fundvitit emigrantët kthehen për ca ditë në atdhe dhe ndoshta do të kishin sakrifikuar ndonjë orë në zyrat e aplikimit për të bërë pasaportën biometrike. Por për një tjetër arsye të pakuptueshme, ose thjesht për një rastësi, lajmi jepet publikisht në mënyrë zyrtare më 6 janar, ndërsa avionët janë plot me emigrantë që kthehen në vendet ku jetojnë por të rifilluar jetën e përditshme. Në një komunikatë për shtyp zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, thotë: "afati i fundit i përdorimit të pasaportës së vjetër për jashtë shtetit (jo biometrike) dhe nxjerrja e saj jashtë funksionit, do të jetë 1 marsi i këtij viti”.

Tingëllon si një batutë e një filmi të vjetër shqiptar: “Erdhët, na patë, u kënaqët”. Tani shkoni nëpër konsullata e bëni pasaportat e reja, do të kishte qenë vazhdimi në këtë rast.

Keti Biçoku