Shqiptarët me pasaportë evropiane gjithnjë e më të shumtë - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi
Vetëm gjatë vitit 2016, 67.500 kanë marrë një shtetësi të BE-së: thuajse të gjithë janë bërë italianë ose grekë
 

30 vendet e para prej nga vijnë të huajt që gjatë viti 2016 kanë marrë shtetësi evropiane (shtyp mbi tabelë për ta zmadhuar) Romë, 9 prill 2018 – Shqiptarët duket se po hyjnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, me të drejta të plota “anëtarësie”, më shpejt si individë sesa si shtet. E po e bëjnë me ritme aq të larta sa kur politika shqiptare të ndërmarrë vërtet nisma konkrete e të zbatojë ndonjë strategji për emigracionin, pjesa dërrmuese e shqiptarëve të ikur do të kenë në xhep një pasaportë tjetër.

Nëse shifrat zyrtare italiane tregojnë se në këto 27 vite emigracioni mbi 200 mijë shqiptarë kanë marrë pasaportën italiane, ato më të fundit të BE-së, thonë se, vetëm gjatë vitit 2016, 67.500 shqiptarë kanë marrë një pasaportë evropiane. Kjo del në dritë nga botimi i sotëm i zyrës evropiane të statistikave, Eurostat, mbi evropianët e rinj të vitit 2016.

Vetëm në katër vite, 2013-2016, kanë marrë shtetësinë e një vendi evropian rreth 200 mijë shqiptarë. Më në detaje, veç 67.500 shqiptarëve që kanë marrë shtetësinë e vendeve të BE-së gjatë 2016-tës, janë numërohen edhe 48.400 që e kanë marrë pasaportën e një vendi BE gjatë vitit 2015, 41.000 në vitin 2014 dhe 41.700 gjatë vitit 2013.

Thuajse të gjithë, mbi 95%, janë bërë shtetas italianë ose grekë. Nga këta 200 mijë shqiptaro-evropianë, mbi 105 mijë janë shqiptaro-italianë dhe rreth 84.500 shqiptaro-grekë. Por, nëse shifrat e shqiptarëve “të italianizuar” kanë parë rritje të vazhdueshme e të lartë vitet e fundit, duke shkuar nga 13.671 të vitit 2013 në 36.920 të vitit 2016, ato të shqiptarëve që marrin pasaportë greke kanë pësuar luhatje, dhe pas dy vjetëve rënie, kanë pasur rritje të konsiderueshme vetëm vitin e fundit (2016). Kështu, nga raporti i fundit i Eurostat-it vërehet që gjatë vitit 2016 kanë marrë shtetësi greke 28.548 shqiptarë, ndërsa nga raportet e shkuara del se ishin rreth 25.830 në vitin 2013, ranë në 18.409 në vitin 2014 për të shkuar në 11.615 në vitin 2015.

Italia sërish e para mes vendeve evropiane për numër shtetësish të njohura

Sipas statistikave të fundit Eurostat, në 2016-tën, numri i shtetësive që vendet anëtare u kanë njohur të huajve ka pësuar rritje pas dy vjetëve rënie të ndjeshme. Më saktësisht, gjatë vitit 2016 kanë marrë njërën nga shtetësitë e vendeve anëtare të BE-së 994.800 vetë. Ndërsa gjatë vitit 2015, kishin marrë njërën nga shtetësitë e vendeve anëtare të BE-së 841.246 persona, gjatë vitit 2014 e kishin marrë 889.139 vetë dhe në 2013-tën, 984.800 njerëz.

Ashtu si edhe një vit më parë, edhe për 2016-tën, vendin e parë për numrin më të lartë të dekreteve të shtetësisë të njohura të huajve e mban Italia me 201.591, gjë që dëshmon për një imigracion që ka hedhur rrënjë edhe këtu.
E ndjekin, nga larg, Spanja (rreth 151 mijë), Mbretëria e Bashkuar (149 mijë), Franca (nga rreth 119 mijë secila) dhe Gjermania (112 mijë).

Të huajt që më shumë se gjithë të tjerët janë bërë evropianë gjatë vitit 2016, janë nga Maroku (101.300 ose 10,2% e të gjithë evropianëve të rinj) nga Shqipëria (67.500 ose 6,8% e të gjithëve) dhe nga India (41.700 ose 4,2%).

Keti Biçoku
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)
Lexo edhe:
Mbi 200 mijë shqiptarë kanë pasaportë italiane

Shqiptaro-evropianët: statistikat e vitit 2015