Shqiptarët në Itali do të votonin të majtën - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi

Një sondazh i Botës shqiptare në shqiptariiitalise.com konfirmon, se të paktën gjysma e shqiptarëve në Itali, po të votonte, do të zgjidhte të majtën. Deri dje, 53,5% u shprehën pro PD-së, dhe vetëm 19,1% votuan për PdL. Ndërsa 8,3% zgjodhën IdV-në e Di Pietros dhe 8,9% ... Legën e Bossit

Nëse shqiptarët e Lombardisë do të thirreshin të votonin nesër në zgjedhjet politike italiane, do të zgjidhnin të majtën me 35,1% të preferencave ndërsa të djathtën me 32,8%. Bie në sy që një pjesë e mirë e tyre nuk i ka idetë e qarta: 32,1%. Kështu rezulton, të paktën, sipas studimit të kryer nga Ismu.

Me këto shifra është vërtet e vështirë të thuhet se për kë do të votonin shqiptarët nëse do t'u jepej e drejta. Ndaj edhe "Bota shqiptare" kreu sondazhin e vet të thjeshtë, pa pretendime për saktësi shkencore. Në faqet shqiptariiitalise.com lexuesit u ftuan të zgjidhnin mes katër forcave më të mëdha politike italiane: Populli i Lirive (PdL), Partia Demokratike (PD), Lega dhe Italia e Vlerave (IdV), ndërsa në profilin e gazetës në rrjetin social Facebook u ftuan të debatonin mbi këto mundësi zgjedhjeje.

Në dhjetë ditë shprehën preferencën e tyre në sondazh 157 lexues. Shumica e tyre, 84 vetë (53,5%) u shprehën pro PD-së, dhe vetëm 30 vetë (19,1%) votuan për PdL. Ndërsa 13 vetë (8,3%) zgjodhën IdV-në e Di Pietros dhe 14 vetë (8,9%) Legën e Bossit. Në fund, 5 vetë thonë se do të jepnin votën e tyre një tjetër partie dhe 11 vetë. Bie në sy, në radhë të parë, një dallim me shifrat e studimit Ismu: ata që kanë votuar sondazhin tonë duket se anojnë më shumë majtas se kampioni i shqiptarëve të Lombardisë, por kjo mund të jetë e justifikueshme me ata 32,1% të studimit që nuk kanë idetë e qarta, ndoshta janë të pavendosur mes PD dhe IdV, pra që sidoqoftë anojnë majtas. Nga ana tjetër shuma atyre që zgjedhin PdL-n dhe Legën i afrohen preferencave të studimit, por mbeten pak më të ulëta (28%).

Edhe pse vota është diçka personale e ashtu siç ndodh në Shqipëri apo edhe në Itali, opinioni publik është shumë i ndarë mes dy kampeve të kundërta politike, nuk mund të mos vihen re disa aspekte që mund të shtyjnë emigrantët të shkojnë drejt qendrës së majtë apo qendrës së djathtë. Duke qenë të huaj në Itali, mund të ishte e natyrshme që të formonim bindje të majta apo të djathta edhe në bazë të politikave që njëra apo tjetra palë vë në jetë për çështje të imigracionit, çka ndikon drejtpërdrejt në përditshmërinë tonë. Dhe biem të gjithë dakord që qendra e djathtë - veçanërisht tani që Lega vë veton në politikat e imigracionit - është shumë më dorështrënguar jo vetëm me klandestinët, por edhe me imigrantët e rregullt (e kur themi kështu kemi parasysh paketën e sigurisë me futjen e veprës penale të klandestinitetit, me taksën për lejeqëndrimin e shtetësinë, shtrëngimet për bashkimet familjare etj.). Dhe janë pak a shumë të këtij mendimi disa nga bashkatdhetarët që shprehin mendimin e tyre në komentet në facebook: "Perse e doni Berlusconin, atë që nuk ju jep asistencë fëmijëve tuaj kur ngelni pa punë apo që do t'ua dërgojë në shkolla të ndara. Ne emigrantëve,politika e këtij kryeministri na dëmton shumë..." apo "që me formimin e Forca Italisë dhe Legës, që në vitet '90 e deri më sot të djathtët e Italisë kanë qenë kundër çdo emigranti në Itali, ndaj nuk e besoj që shqiptarët të votojnë djathtës...".

Por shifrat nuk mbështesin plotësisht këtë tezë, dhe mbetet e pashpjegueshme që në 157 vetë, 14 të votojnë për Legën. E kjo nuk është risi: në zgjedhjet e fundit krahinore, për shembull, në Toskanë një zëdhënëse e Legës ishte shqiptare.

Nga ana tjetër vota djathtas e shqiptarëve justifikohet me "kujtimin e regjimit": "votojnë djathtas sepse mbajnë mend Enverin?" pyet dikush me shaka në komentet në facebook. Apo ndokush tjetër më seriozisht "Pro Berlusconit e Bossit, poshtë komunizmi...".

Nga komentet vërehet edhe një fakt që nuk ka si të dalë në shesh nga pyetjet e sondazhit. Ndokush bën dallim mes Finit dhe eksponentëve të tjerë të qendrës së djathtë: "i vetmi që më pëlqen është është Fini, për fat të keq është në të njëjtën anë me Berluskonin e Bossin. Besoj që nuk ka nevojë për më shumë koment...", madje vëren edhe pafuqinë e të majtës "ata nuk janë as për veten e vet".

Nga komentet në facebook vërehet edhe një fakt që nuk ka si të dalë në shesh nga pyetjet e sondazhit. Ndokush bën dallim mes Finit dhe eksponentëve të tjerë të qendrës së djathtë: "i vetmi që më pëlqen është është Fini, për fat të keq është në të njëjtën anë me Berluskonin e Bossin. Besoj që nuk ka nevojë për më shumë koment...", madje vëren edhe pafuqinë e të majtës "ata nuk janë as për veten e vet".

Vërehet gjithashtu që shprehen më lehtë ata që janë në favor të qendrës së majtë, se ata që janë për qendrën e djathtë, ndërsa për politikanët në veçanti, shprehen lirshëm në favor, por edhe kundër, Berlusconit. Duke pasur parasysh që dinë të bëjnë dallimin e Finit si personazhin më pozitiv të qendrës së djathtë dhe të Bossit si atë me qëndrimet më të ashpra ndaj emigrantëve, bie në sy që nuk përmendin asnjëherë askënd të qendrës së majtë, me përjashtimin e Prodit, por që sot nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në politikën italiane.

Keti Biçoku

Bota shqiptare 236 – 16 maj 2010