Zgjatet orari i zyrave të shërbimeve për pasaportat biometrike - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi

Në parashikim të fluksit të emigrantëve që kthehen në atdhe për Pashkë, me kërkesë të ministrisë së Brendshme, zyrat e pranimit të kërkesave dhe ato të lëshimit të pasaportave biometrike shqiptare do të qëndrojnë hapur çdo ditë të javës, përfshirë edhe të shtunë e të diel 3 dhe 4 prill, nga 8.00 deri në 18.00

Tiranë 30 mars 2010 Me kërkesë të Ministrisë së Brendshme, kompania konçensionare ''Aleat'' do të rrisë orarin ditor dhe ditët e shërbimit për aplikimin e qytetarëve për pasaporta biometrike. Zyrat e aplikimit për pasaporta biometrike në të gjithë vendin do të shërbejnë për qytetarët gjatë ditëve të javës nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 18:00 të mbrëmjes.

Këto zyra kanë qëndruar hapur, në shërbim të qytetarëve, edhe ditën e shtunë e të diel, 27 dhe 28 mars, e po kështu do të qëndrojnë hapur edhe në datat 3 dhe 4 prill. Me të njëjtin orar do të shërbejnë edhe zyrat e shpërndarjes së pasaportave biometrike pranë komisariateve dhe drejtorive të policisë në qarqe.

Me këto masa ministria e Brendshme synon t'i përgjigjet “në mënyrë të veçantë interesimit të pritshëm për të aplikuar dhe për të tërhequr pasaportat biometrike të qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit, të cilët mund të vijnë në Shqipëri për festën e Pashkëve”.

Ministria bën gjithashtu të ditur që në zyrat e shpërndarjes gjenden rreth 80 mijë pasaporta të patërhequra, ndaj ajo “fton qytetarët që kanë aplikuar të paraqiten sa më parë për të tërhequr pasaportat e tyre biometrike”.