“Gra të Shqipërisë” prezantohet në San Donà di Piave, Rovigo, Padova, Asti dhe Torino - Shqiptari i Italisë

Veprimtari
I pari libër dedikuar grave dhe vajzave shqiptare në Itali e rolit të tyre në vendin pritës e në atdhe po promovohet në mbarë Italinë. Më 24 mars autorët do ta prezantojnë në San Donà di Piave, më 25 mars në Rovigo dhe Padova, më 26 mars në Asti, ndërsa më 27 mars në Torino

Në mbarë Italinë po prezantohet vëllimi “Donne D’Albania. Tra migrazione, tradizione e modernità”, (Gra të Shqipërisë. Midis migrimit, traditës dhe modernitetit), përgatitur për botim nga studiuesi shqiptar Rando Devole dhe Claudio Paravati, drejtori i revistës Confronti. Është libri i parë që flet për gratë e vajzat shqiptare në Itali e për rolin e tyre në vendin ku kanë mërguar e në atdhe. Një botim i vyer për vetë gratë dhe për të gjithë ata që merren me çështje kulturore, sociale dhe migratore. Libri synon fillimin i një procesi njohjeje e reflektimi për situatën e grave dhe vajzave shqiptare në Shqipëri e Itali.

San Donà di Piave (provinca e Venecias), shoqata LAB4, revista “Confronti” dhe Shoqata socio-kulturore Four, organizojnë prezantimin e librit më 24 mars 2018, ora 11.00 (Libreria Moderna, Via XIII Martiri 7).

Gjatë takimit do të përshëndesë një përfaqësues i Komunës San Donà di Piave dhe, përveç kuratorëve të vëllimit, do të ndërhyjnë Etleva Petriti, poete shqiptare dhe Marie Lala,  përgjegjëse e grave në Shoqatën Iliria.

Aktiviteti kulturor do të pasurohet nga koncerti i shkurtër i Tamara Feletto, e cila do të luajë për publikun pjesë të njohura si: Over the rainbow, I gave you everything, Your love, Hurt.

Punimet do të moderohen nga Chiara Vitali, pedagoge e gjuhës angleze dhe bloger në fushën e kulturës bashkëkohore.

25 mars 2018, ora 11.00, libri do të prezantohet në Rovigo (Via Cesare Battisti 8 – Sala Grand Guardia n. 25). Shoqata kulturore Veneto-Albania, revista “Confronti” dhe kooperativa Majulero, kanë organizuar një nismë kulturore ku do të diskutohet rreth temave të librit.

Aktiviteti do të hapet me përshëndetjet institucionale: Alessandra Sguotti, Asesore për kulturën e shanset e barabarta të Komunës së Rovigos, Patrizia Borile, Asesore për shërbimet sociale të Komunës së Rovigos, Irene Rigobello, punonjëse pranë Caritas të diogjezës Adria-Rovigo.

Gjatë veprimtarisë, që zhvillohet nën patronazhin e Komunës së  Rovigos, do të ndërhyjnë Jugana Sladic, Presidente e kooperativës Majulero, Denada Korriku, Sipërmarrëse shqiptare, Michela Rossin, Eksperte në art terapi e në mbrojtje personale preventive, Aisela Beltusha, Eksperte në ekonomi e financë,  Rando Devole, Sociolog dhe Claudio Paravati, Drejtor i revistës “Confronti”.

Punimet do të hapen e do të moderohen nga Nertila Dizdari, Eksperte në ndërmjetësim e Presidente e shoqatës Veneto-Shqipëri.

Gjithnjë më 25 mars 2018, por në orën 17.30, libri do të prezantohet në Padova (Palazzo Zacco, Prato della Valle, 82). Takimi është organizuar nga Shoqata kulturore italo-shqiptare Besa, nga revista e qendra e studimit “Confronti” dhe nga Shoqata e puljezëve në Padova.

Gjatë prezantimit do të përshëndesin një sërë autoritetesh institucionale si Riccardo Mortandello, Kryetar i Komuës Montegrotto Terme, Marta Nalin,  Asesore për Shërbimet sociale të Komunës Padova, Paolo Rossi Chauvenet, Konsull nderi i Shqipërisë në Itali, Donato Coluccia, President i Shoqatës së Puljezëve në Padova dhe Vojsava Zagali, Presidente e Shoqatës kulturore italo-shqiptare BESA.

Lidhur me temën do të marrin fjalën Eriselda Shkopi, sociologe,  Anna Bassi, e diplomuar në juridik, Edlira Shehu, ndërmjetëse kulturore, Maria Grazia Rizzato, mësuese, Adele Budina, prodhuese kinematografike, Claudio Paravati, drejtori i revistës “Confronti” dhe Rando Devole, sociolog.

Punimet do të moderohen nga Patrizia Tazza, pedagoge letërsie.

Do të pasojë një koncert i shkurtër: në piano Jozef F. Pjetri, këndon Ermira Kadia Parruca.

26 mars do të jetë radha e Astit ku në orën 17.00 do tw mbahet konferenca “La migrazione femminile albanese - Uno sguardo sui servizi socio-sanitari e sulla mediazione culturale” qw merr shkas nga libri “Gra të Shqipërisë”. Nisma promovohet nga A.M.M.I. (Shoqata Multikulturore e Ndërmjetësve ndërkulturorë), UPO (Universiteti i Piemontes Lindore), revista “Confronti” dhe shoqata kulturore Alb-Art.

Punimet e konferencës së Astit do të hapen e do të moderohen nga Sabina Darova, ndërmjetësuese kulturore. Institucioni vendor do të përshëndesë nëpërmjet përfaqësueses Mariangela Cotto, Asesore e Shërbimeve sociale të Komunës së Astit, ndërsa kumtesat do të mbahen nga specialiste të fushës. Prof. Adriana Platone do të flasë për mënyrën se si migracioni i nxit shërbimet sociale e shëndetësore, prof. Maria Perino do të trajtojë temën e migracionit të grave, veçoritë dhe pasojat e dukurisë, ndërsa prof. Roberta Bornino e shkollës Ispia në Castigliano Asti do të flasë për fëmijët në shkollë. Një dëshmi e brezave të dyta do të jepet nga Sonora Koçi, nxënëse në shkollën e lartpërmendur.

Së fundi, Rando Devole dhe Claudio Paravati do të flasin për librin Gra të Shqipërisë. Midis migrimit, traditës dhe modernitetit. Një hapësirë e veçantë do t’i kushtohet edhe debatit, që do të mundësojë ndërhyrjen e të pranishmëve dhe ballafaqime të tjera.

Më pas, libri “Gra të Shqipërisë” do t’i prezantohet publikut torinez. Konferenca “Albanesi in Italia – Il ruolo delle donne” që do të zhvillohet në Torino, të martën 27 mars 2018, ora 18.00, pranë sallës Mostre Regione Piemonte (Piazza Castello 165) do të ketë në qendër gratë e vajzat shqiptare në Itali, merr shkas pikërisht nga libri. Aktiviteti promovohet nga Confronti, ItAlb, A.M.M.I, Sicurezza e Lavoro.

Përshëndetjet institucionale në nisje të punimeve të konferencës do të jenë të shumta: Monica Cerutti - Asesore për të Drejtat Civile të Krahinës Piemonte, Renato Saccone - Prefekt i Torinos, përfaqësues nga Konsullata Shqiptare në Milano, Marco Giusta - Asesor i të Drejtave të Komunës së Torinos, Ilaria Gritti - Koordinatore e Kulturës (Circ. 1 të Torinos), Eugenio Bernardini - Moderator i Tryezës Valdeze.

Gjatë veprimtarisë, që zhvillohet nën patronazhin e Krahinës Piemonte, Komunës Torino dhe Qendrës Crocetta, do të marrin fjalën: Blenti Shehaj, president i Shoqatës A.M.M.I.; Etleva Zenuni, presidente Ideadonna onlus; Anis Cipi, president i Shoqatës ItAlb; Dafina Ikonomi, avokate; Claudio Paravati, drejtor i revistës “Confronti”. Moderimi do të bëhet nga Massimiliano Quirico, gazetar (Sicurezza e Lavoro), ndërsa hyrja nga Gerta Beqiri, Ground Vista Pictures, e cila i përket edhe brezit të dytë.

Hyrja është e lirë për të gjithë dhe në fund të veprimtarisë do të ketë degustim të produkteve e kuzhinës shqiptare.

Nisma është organizuar me mbështetjen e fondeve 8 x mille të Kishës Valdeze.

Advertisement